Ish-ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq, ka theksuar se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian është thelbësor për mbijetesën e tij si shtet. Ajo paralajmëroi se dështimi i këtij procesi rrezikon seriozisht pavarësinë dhe sovranitetin e vendit.
Pusiq theksoi se, pavarësisht një rënieje të lehtë të entuziazmit për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe gjeopolitike, shumica e qytetarëve dhe e partive politike në Mal të Zi mbështesin fuqishëm anëtarësimin në BE.
Sipas Pusiq, sfida kryesore për forcat pro-evropiane është organizimi politik për zgjedhjet e ardhshme dhe marrja e përgjegjësisë për drejtimin e vendit. Ajo ishte e prerë: “Ata që vërtet duan që Mali i Zi të hyjë në BE, duhet t’i fitojnë zgjedhjet. Besoj kjo është detyra e parë.”
Ajo theksoi se situata e Malit të Zi është unike krahasuar me vendet e tjera kandidate dhe ato të ardhshme. “Për Malin e Zi,” tha Pusiq, “anëtarësimi në BE është një çështje e mbijetesës së tij si shtet.”
Nëse integrimi evropian dështon, Mali i Zi rrezikon të humbasë sovranitetin real, paralajmëroi ajo. “Nëse dështojnë në këtë projekt,” shpjegoi Pusiq, “ata do të mbeten pa pavarësi dhe sovranitet, si formalisht ashtu edhe de facto.”
Pusiq theksoi se presioni ndaj Malit të Zi buron kryesisht nga Serbia dhe Rusia, të cilat e shohin atë si pjesë të një strategjie më të gjerë pro-ruse në rajon. Përveç presionit të jashtëm, ajo vuri në dukje praninë e forcave të fuqishme politike brenda Malit të Zi, të cilat, sipas saj, nuk mbështesin ekzistencën e shtetit malazez si një entitet i pavarur. Ajo e ilustroi këtë duke përmendur se “në Mal të Zi ka një pjesë të opozitës që beson se Mali i Zi nuk duhet të ekzistojë si shtet i pavarur”. Kjo situatë e bën anëtarësimin në BE jo vetëm një aspiratë, por një domosdoshmëri strategjike për mbrojtjen e integritetit dhe të ardhmes së shtetit malazez.
