Ministria e Ekonomisë, ka njoftuar se kompania franceze AKUO Energy SAS është shpallur fituese e ankandit të parë të energjisë nga era me kapacitet prej 98 MW .

Ministria shton edhe se, realizimi i këtij projekti pritet të sjellë një investim prej rreth 150 milionë eurosh në sektorin e energjisë në Kosovë, dhe se, deklaron më tej ministria, duke shtuar kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, duke kontribuar në uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

‘’ Ankandi i parë i energjisë nga era është zhvilluar me mbështetjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore dhe përkrahjen financiare nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), si dhe me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev – Luxembourg Development Cooperation Agency’’, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Kompania franceze AKUO Energy SAS shpallet fituese e ankandit të parë të energjisë nga era me kapacitet prej 98 MW

Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur me sukses ankandin e parë të energjisë nga era në Republikën e Kosovës, duke shpallur fituese kompaninë franceze AKUO Energy SAS, me kapacitet të ofruar prej 98 MW dhe me çmim prej 75.94 euro për megavatorë (MWh).Çmimi fitues është 5.31% më i ulët se çmimi tavan prej 80.20 euro/MWh, i përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Në fazën e parë të këtij ankandi ishin kualifikuar tri kompani dhe konsorciume nga Franca, Turqia, Gjermania dhe Kosova. Pas përfundimit të vlerësimit të ofertave teknike dhe financiare, si dhe kalimit të afatit për ankesa, gjatë të cilit nuk është pranuar asnjë ankesë, kompania AKUO Energy SAS është shpallur zyrtarisht fituese e ankandit, me çmimin më të ulët të ofruar.

Realizimi i këtij projekti pritet të sjellë një investim prej rreth 150 milionë eurosh në sektorin e energjisë në Kosovë, duke shtuar kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, duke kontribuar në uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Pas suksesit të ankandit të parë solar prej 100 MW, përmbyllja e suksesshme e ankandit të parë të erës shënon një tjetër hap të rëndësishëm në realizimin e objektivave të Strategjisë së Energjisë 2022–2031 dhe dëshmon interesimin e investitorëve ndërkombëtarë për investime në sektorin e energjisë në Kosovë.

Hapi i radhës në këtë proces është nënshkrimi i marrëveshjeve të projektit, të cilat do të përcaktojnë të drejtat dhe obligimet e palëve për realizimin e këtij investimi.

Ankandi i parë i energjisë nga era është zhvilluar me mbështetjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore dhe përkrahjen financiare nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), si dhe me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev – Luxembourg Development Cooperation Agency.

Ministria e Ekonomisë mbetet e përkushtuar në zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike përmes proceseve konkurruese dhe transparente, duke siguruar çmime konkurruese të energjisë, tërheqjen e investimeve private dhe një të ardhme energjetike më të sigurt dhe më të pastër për qytetarët e Kosovës.