QKUK-ja fillon endoskopinë gastrointestinale për fëmijë, duke eliminuar nevojën për trajtim jashtë vendit

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar një zhvillim të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, me nisjen e aplikimit të procedurave të endoskopisë gastrointestinale për fëmijë. Ky shërbim i ri, i cili tashmë ofrohet në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike, eliminon nevojën që fëmijët pacientë të kërkojnë trajtim jashtë vendit për raste të caktuara.

Hapja e këtij shërbimi u bë e mundur pas sigurimit të pajisjeve moderne, si kolonoskopët dhe gastroskopët, si dhe pas trajnimit të thelluar të stafit mjekësor të Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike. Trajnimi u realizua nga mjekë specialistë të gastroenterologjisë së të rriturve, veçanërisht nga Njësia e Endoskopisë brenda Klinikës së Gastroenterologjisë Adulte të QKUK-së.

Procedurat e para filluan gjatë vitit 2024, fillimisht me asistencën e kirurgëve abdominalë nga Njësia e Endoskopisë. Gradualisht, me mbështetjen e gastroenterologëve të të rriturve, stafi i Kirurgjisë Pediatrike ka arritur të kryejë këto ndërhyrje në mënyrë të pavarur dhe me sukses të plotë.

Gjatë dhjetë muajve të fundit, janë realizuar gjithsej 23 procedura endoskopike. Këtu përfshihen vendosja e PEG-ut (gastrostoma endoskopike perkutane), heqja e trupave të huaj nga stomaku dhe pjesa e poshtme e ezofagut, zgjerimet e ezofagut, gastroskopitë eksploruese, si dhe kolonoskopitë eksploruese dhe diagnostike.

Një avancim veçanërisht i rëndësishëm është mundësia e vendosjes së PEG-ut tek pacientët pediatrikë që vuajnë nga humbja e refleksit të gëlltitjes. Kjo gjendje shpesh është pasojë e çrregullimeve neurologjike të lindura ose traumave me pasoja neurologjike. Deri më tani, këta pacientë ishin të detyruar të kërkonin trajtim jashtë Kosovës, por me ofrimin e këtij shërbimi brenda QKUK-së, kjo nevojë është eliminuar plotësisht, duke ofruar kujdes shëndetësor cilësor dhe të aksesueshëm për fëmijët tanë.