**Incident në Gjakovë: Shoferi refuzon kontrollin, përplaset me automjetin e Policisë**

Një incident trafiku ka ndodhur sot në rrugën kryesore Prizren-Gjakovë, pasi një shofer refuzoi të ndalonte për kontroll policor dhe u përplas me një automjet të Policisë.

Ngjarja filloi në fshatin Krushë të Rahovecit, ku gjatë kontrolleve rutinore, shoferi i një automjeti refuzoi të ndalonte në pikën e kontrollit. Zyrtarët policorë, me mbështetjen e njësive të tjera, ndoqën automjetin me qëllim ndalimin e tij në rrugën kryesore Prizren-Gjakovë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, bëri të ditur se i dyshuari refuzoi sërish të ndalonte dhe u përpoq t’i godiste zyrtarët policorë.

Ajo theksoi se “gjatë përcjelljes nga një patrullë tjetër policore në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, i dyshuari goditi automjetin zyrtar të Policisë, duke shkaktuar një aksident trafiku ku u përfshi edhe një automjet civil”.

Pas aksidentit, i dyshuari tentoi të largohej në këmbë, por u ndalua menjëherë dhe u shoqërua në stacionin policor.

Krasniqi njoftoi se “në koordinim me prokurorin e shtetit, ndaj tij janë iniciuar procedurat për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa është ndaluar për 48 orë”.