**Ramadani: Sot skadon edhe afati i Vetëvendosjes për konstituimin e Kuvendit**

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka theksuar se sonte, më 5 shtator, skadon afati i fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, madje edhe sipas interpretimit politik të Lëvizjes Vetëvendosje (VV).

Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohej brenda afatit kushtetues, i cili përfundoi më 7 gusht. Më pas, Lëvizja Vetëvendosje prezantoi një interpretim të ri, duke argumentuar se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit fillon pas thirrjes së seancës konstituive.

Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, më herët kishte deklaruar se ky afat do të përfundonte më 6 shtator, duke theksuar: “I kemi 30 ditë për ta zgjedhur kryetarin e kuvendit, ky është interpretimi ynë.” Kjo deklaratë ishte bërë gjatë një situate të tensionuar mes deputetëve të VV-së, PDK-së dhe AAK-së në Kuvend.

Ramadani saktëson se, si pasojë, “nga nesër nuk mbetet më asnjë afat, as kushtetues, as sipas interpretimit politik që vetë VV-ja e ka bërë.” Ai thekson se situata është e qartë:

* Më 8 korrik u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve.
* Seanca konstituive u thirr më 6 gusht.
* Sipas interpretimit kushtetues, Kuvendi duhej të konstituohej brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, pra deri më 7 gusht.
* Sipas interpretimit politik të Vetëvendosjes, afati 30-ditor fillon nga dita e thirrjes së seancës konstituive, që do të thotë se afati skadon sonte, më 5 shtator, në orën 23:59.

Më tej, Ramadani kritikon Vetëvendosjen duke thënë se jo vetëm që nuk e ka respektuar interpretimin kushtetues për afatin e konstituimit, por nuk po e respekton as interpretimin e saj politik.

Për këtë arsye, ai e quan thirrjen e vazhdimit të seancës për 9 shtator “një provokim të qëllimshëm dhe një veprim që prodhon jostabilitet institucional.” Ramadani përfundon duke theksuar se Kuvendi mund të konstituohet vetëm sot, pasi “pas sonte nuk ka më asnjë arsyetim, asnjë interpretim dhe asnjë sekondë shtesë. Pas ditës së sotme, nuk ka më afat as kushtetues, as politik, as moral.”

Në kundërshtim me këto afate, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi dje se vazhdimi i seancës është thirrur për datën 9 shtator.