Real Madridi dhe Adidas, bashkëpunim kolosal deri në vitin 2034
Real Madridi ka zyrtarizuar rinovimin e bashkëpunimit afatgjatë me gjigantin e veshjeve sportive, Adidas. Marrëveshja e re do të zgjasë partneritetin e tyre për tetë vite të tjera, duke qenë në fuqi deri në vitin 2034.
Ky bashkëpunim mes Real Madridit dhe Adidas ka një histori të gjatë, pasi ka nisur për herë të parë në vitin 1980. Gjatë kësaj periudhe, ata kanë krijuar një nga partneritetet më të suksesshme dhe më të qëndrueshme në botën e sportit.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, duke deklaruar: “Kjo marrëveshje që po nënshkruajmë sot është më e rëndësishmja në historinë e futbollit. Aleanca strategjike midis Real Madridit dhe Adidasit na ka ndihmuar të përjetojmë një nga periudhat më të mrekullueshme në historinë tonë gjatë këtyre tre dekadave. Dhe gjithashtu ka shërbyer për të vazhduar të kultivojmë këtë ndjenjë universale që është Madridizmi.”
Sipas raportimeve, Real Madridi pritet të përfitojë më shumë se 150 milionë euro në vit nga kjo marrëveshje fitimprurëse./IndeksOnline/
