Real Madridi është i gatshëm ta shesë Vinicius Junior gjatë kësaj vere nëse nuk arrin marrëveshje për rinovimin e kontratës së tij, pasi braziliani ka hyrë në vitin e fundit të marrëveshjes aktuale, raporton El Debate.

Sipas raportit, trajneri i ri Jose Mourinho dëshiron që situata të zgjidhet sa më shpejt, duke preferuar qartësi në vend të pasigurisë, teksa planifikon skuadrën për sezonet e ardhshme.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje për vazhdimin e kontratës, drejtuesit e Real Madridit preferojnë të përfitojnë një shumë të konsiderueshme nga shitja e sulmuesit, sesa ta humbasin pa dëmshpërblim verën e ardhshme.

Bisedimet mes palëve kanë ngecur. Real Madridi thuhet se i ka ofruar Viniciusit një kontratë me vlerë rreth 20 milionë euro neto në sezon, ndërsa përfaqësuesit e lojtarit kërkojnë edhe 6 deri në 10 milionë euro më shumë.

Klubi madrilen gjithashtu nuk dëshiron të prishë strukturën e pagave, pasi një kontratë e tillë mund të ndikojë negativisht në rinovimet e ardhshme të futbollistëve të tjerë.

Kontrata aktuale e Vinicius Junior skadon në fund të sezonit të ardhshëm, çka do të thotë se pas gjashtë muajsh ai do të ketë të drejtën të negociojë një parakontratë me klube jashtë Spanjës.

Ndërkohë, sipas të njëjtit raportim, Jose Mourinho synon ta ndërtojë skuadrën rreth lojtarëve që janë plotësisht të përkushtuar ndaj projektit afatgjatë të Real Madridit.