Nis rregullimi i rrugës drejt vendit të varrezës masive në Kalludër

Ka nisur rregullimi i rrugës që shpie drejt fshatit Kalludër, në Zubin Potok, ku kohët e fundit u zbulua një varrezë masive. Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, po vazhdojnë gërmimet në këtë zonë.

Fshati Kalludër shtrihet në një zonë të thellë malore, me terren të vështirë, gjë e cila ka përbërë një sfidë serioze për ekipet që operojnë atje.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore pritet të lehtësojë ndjeshëm qasjen e makinerive dhe personelit në vendndodhjen ku po zhvillohen operacionet e kërkimit dhe zhvarrimit.

Autoritetet kanë njoftuar se punimet në terren do të vazhdojnë pa ndërprerje derisa të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme në këtë zonë. Kjo vendndodhje konsiderohet me rëndësi thelbësore për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.