Miliona amerikanë të
moshuar që brengosen se do të pësojnë sulm në zemër apo në tru me vite të tëra kanë
konsumuar aspirinë çdo ditë, duke menduar se gjaku i hollë ua zvogëlon
rrezikun.

Por, udhëzimet e reja nga
dy grupe kardiologjie thonë se, për shumicën e të rriturve, kjo më nuk është e
nevojshme, transmeton Telegrafi.

Udhëzimet e reja për
shëndet të zemrës janë publikuar së bashku nga Kolegji Amerikan i Kardiologjisë
dhe nga Shoqata Amerikane e Zemrës.

Dy grupet janë pajtuar se
personat më në moshë që kanë rrezik më të ulët – pra nuk kanë histori të sulmit
të zemrës, trurit apo ndërhyrje kirurgjike kardiake – rreziku i gjakderdhjes që
vjen nga përdorimi i përditshëm i aspirinës e tejkalon çdo përfitim të efektit
pozitiv të zemrës.

Dr. Roger Blumenthal thotë
se doktorët duhet të jenë shumë të kujdesshëm kur ua përshkruajnë aspirinën
personave që nuk kanë sëmundje kardiovaskulare.

Në deklaratën e lëshuar
nga dy grupet e ekspertëve të shëndetit të zemrës thuhet se është shumë më e
rëndësishme të kultivohen shprehi të shëndetshme të jetesës, të kontrollohet
shtypja e gjakut dhe kolesteroli sesa të rekomandohet përdorimi i aspirinës.

Sipas Blumenthal, aspirina
duhet t’u përshkruhet personave që kanë rrezik të lartë të sëmundjeve
kardiovaskulare dhe që kanë rrezik të ulët të gjakderdhjes.