**Mbi 20 mijë nxënës i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë më 26 qershor**
Rreth 23 mijë nxënës të klasave të nënta do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë më 26 qershor. Ministria e Arsimit (MAShT) ka bërë të ditur se, si vitet e kaluara, testi do të organizohet vetëm në një ditë të vetme.
Fatmir Elezi, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në MAShT, ka dhënë detaje rreth organizimit të testit për Radio Kosovën. Ai theksoi se testi do të mbahet më 26 qershor dhe nxënësit do t’i nënshtrohen atij në një ditë, ngjashëm me vitet e kaluara.
“Do të jenë katër grupe të lëndëve: gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë, informatikë, shkenca shoqërore (histori, gjeografi) dhe shkenca natyrore (fizikë, kimi, biologji). Katër grupet përmbajnë rreth 25 pyetje secili,” deklaroi Elezi.
Ndërkaq, njohësit e fushës së arsimit vlerësojnë se Testi i Arritshmërisë ka një rëndësi të veçantë për orientimin e nxënësve drejt shkollimit të mesëm. Xhavit Rexhaj, në një prononcim për Radio Kosovën, theksoi se testi nuk duhet të anulohet, siç është kërkuar më parë, por duhet të analizohet dhe përmirësohet mënyra e tij e zbatimit.
“Ky test ka rolin thelbësor në orientimin e nxënësve për shkollimin e tyre të mëtejshëm. Nëse administrohet dhe analizohen rezultatet e tij si duhet, është jashtëzakonisht i dobishëm. Prandaj, në vend që të anulohet, duhet menduar dhe zbatuar në mënyrën më të rregullt dhe të duhur,” u shpreh Rexhaj.
Qëllimi kryesor i Testit të Arritshmërisë është matja e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve të klasave të nënta, si dhe shfrytëzimi i rezultateve të tij për regjistrimin e tyre në shkollat e mesme të larta.
