Afro 44 mijë kosovarëve u dhanë leje qëndrimi në BE, Gërxhaliu: Alarm për të ardhmen e vendit
Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë, e ka cilësuar alarmant numrin e lejeve të qëndrimit që kosovarët kanë përfituar në shtetet e Bashkimit Evropian gjatë viteve të fundit.
Sipas shifrave të fundit, vetëm gjatë vitit të kaluar (2023), 43.747 leje qëndrimi u janë lëshuar kosovarëve nga shtete të ndryshme të BE-së.
Lidhur me këtë situatë, Gërxhaliu thekson se një dukuri e tillë nuk është thjesht një statistikë migrimi, por një sinjal serioz për të ardhmen e Kosovës.
“Ekonomikisht, vendi humb fuqi punëtore, profesionistë, konsumatorë dhe potencial për investime e zhvillim. Në aspektin social, largimi i familjeve dhe të rinjve dobëson komunitetet, përshpejton plakjen e popullsisë dhe krijon boshllëqe të reja demografike. Në perspektivë, rreziku është edhe më i madh: një Kosovë me më pak njerëz në moshë pune, më pak lindje, më shumë varësi sociale dhe me kapitalin njerëzor që ndërton ekonomitë e vendeve të tjera,” ka shkruar ai.
Gërxhaliu përfundoi duke theksuar se, nëse emigrimi po bëhet rruga kryesore për një jetë më të mirë, atëherë problemi nuk qëndron vetëm te largimi i njerëzve, por te ajo “çfarë e ardhmeje po mbetet pas tyre”.
