**Rriten Çmimet | SHBA-ja i Heq Licencën Iranit për Shitjen e Naftës**
Shtetet e Bashkuara të Amerikës revokuan të martën licencën e përgjithshme që lejonte shitjen e naftës iraniane. Ky veprim erdhi pasi një zyrtar amerikan paralajmëroi se sjellja e Iranit në Ngushticën e Hormuzit ishte “tërësisht e papranueshme” dhe do të përballej me pasoja, pas sulmeve ndaj anijeve cisternë në këtë rrugë ujore strategjike.
Pas këtij njoftimi, çmimet e naftës u rritën me më shumë se 5%, raporton agjencia Reuters.
Thesari i SHBA-së bëri të ditur se do të ofrojë një periudhë kalimtare, deri më 17 korrik, për transaksionet e naftës iraniane që ishin lejuar sipas licencës së anuluar.
Një zyrtar amerikan theksoi se negociatorët vazhdojnë të punojnë me mirëbesim drejt një marrëveshjeje përfundimtare me Iranin, pavarësisht përshkallëzimit të fundit të situatës.
Vendimi i SHBA-së vjen pasi tre anije cisternë raportuan se u goditën nga predha të panjohura në dhe pranë Ngushticës së Hormuzit në ditët e fundit, sipas një raporti të agjencisë UKMTO, e lidhur me marinën britanike.
