Trajneri i kombëtares së Egjiptit, Hossam Hassan, ka shpërthyer me akuza të forta pas humbjes dramatike 3:2 ndaj Argjentinës në 1/8 e finales së Kupës së Botës, duke pretenduar se ndeshja ishte e manipuluar.

Tekniku egjiptian, i revoltuar nga vendimet e arbitrimit dhe zhvillimet e takimit, deklaroi se do të flasë hapur pavarësisht pasojave që mund të ketë.

“Do të them çfarë kam në mendje pavarësisht pasojave. Kjo ishte qartë një ndeshje e manipuluar dhe e gjithë bota e pa këtë.”

Hassan nuk u ndal me kaq, por hodhi akuza edhe më të rënda, duke lënë të kuptohet se fituesi i turneut po favorizohet.

“Dhe dua të them edhe një gjë tjetër. Nëse ata duan kaq shumë që Argjentina të fitojë, pse t’i thërrasin të gjithë të vijnë dhe të marrin pjesë?”

Deklaratat e trajnerit vijnë pas një ndeshjeje të mbushur me polemika, ku Egjipti shpërdoroi epërsinë 2:0 dhe u eliminua pas një përmbysjeje të Argjentinës në minutat e fundit. Gjatë sfidës pati vendime të diskutueshme të VAR-it, një gol të anuluar për Egjiptin dhe protesta të shumta nga stafi teknik egjiptian, ndërsa pas vërshëllimës përfundimtare Hassan u përfshi në debate të ashpra me arbitrin.