Safet Gërxhaliu paralajmëron për pasoja të rënda ekonomike: “Situata po cilësohet normale, por e vërteta do të shihet në të ardhmen”
Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike në vend. Ai thekson se zhvillimet në Lindjen e Mesme, rritja e çmimeve dhe çrregullimet në tregjet globale, mund të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në Kosovë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gërxhaliu theksoi se konflikti në Lindjen e Mesme po shkakton ndryshime thelbësore në shumë dimensione.
“Pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit, si dhe zhvillimeve në Gjirin Persik, bota nuk është më ajo që ka qenë. Gjërat po ndryshojnë në shumë aspekte – jo vetëm gjeostrategjike dhe politike, por edhe ekonomike dhe sociale,” shpjegoi ai. Gërxhaliu theksoi rëndësinë strategjike të vendeve të Gjirit Persik si prodhues dhe eksportues të mëdhenj të naftës. Ai shtoi se varësia e ekonomive të mëdha si Kina, India dhe Pakistani nga kjo naftë dëshmon çrregullimin e tregut global të furnizimit me derivate. “Bota nuk njeh distancë. Ajo çfarë sot ndodh në Amerikë apo në Kinë bartet me shpejtësi në vende të ndryshme, prandaj edhe Kosova nuk mund të mbetet e pa prekur,” tha ai.
Më tej, Gërxhaliu theksoi se situata në Kosovë rëndohet nga ngërçi politik dhe mungesa e stabilitetit, e cila, sipas tij, ka vazhduar nga viti 2025 në 2026. Kjo, në një kohë turbulencash globale, është dëmtuese. Ai kritikoi faktin se në vend që të angazhohen për minimizimin e pasojave të rritjes së çmimeve, politikanët vazhdojnë të merren me politikë, duke dëmtuar standardin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Gërxhaliu sqaroi se norma e inflacionit në Kosovë është më e lartë se ajo e vendeve të rajonit dhe Evropës, madje dyfishi i inflacionit prej 6% që kanë vendet evropiane. Kjo po ndikon në stagflacion, një kombinim fatal i inflacionit me ngecjen e zhvillimit ekonomik. Për më tepër, ndryshe nga vendet e rajonit dhe Evropës, të cilat kanë rezerva strategjike të produkteve elementare për 60-90 ditë, Kosova nuk e gëzon një siguri të tillë, duke e bërë situatën e saj shumë më të brishtë.
Gërxhaliu thekson se situata aktuale po cilësohet gabimisht si normale, ndërkohë që pasojat reale do të ndihen në të ardhmen. Ai paralajmëroi se zgjatja e konflikteve rrit rreziqet, duke theksuar se kjo duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për politikanët kosovarë. Ata duhet të mendojnë më shumë për shtetin dhe të ardhmen, sesa për luftën për pushtet dhe pozita qeveritare. “Përderisa vendet e rajonit dhe ato evropiane janë në situatë emergjence, në Kosovë kjo gjendje po pranohet si normale, gjë që do të dëmtojë të ardhmen. ‘Është koha për veprim,’ theksoi ai, duke shtuar se më vonë do të jetë tepër vonë për të ndërmarrë diçka.”
Gërxhaliu sugjeroi formimin e një këshilli emergjent, duke vlerësuar se situata është shumë më serioze se sa paraqitet. Edhe pse Kosova nuk mund të ndikojë në zhvillimet në Gjirin Persik, ajo duhet të bëjë “detyrat e shtëpisë”. “Është koha për një këshill emergjent, i cili do të merrej me situatën aktuale,” tha ai. Ekspertët ekonomikë duhet të ofrojnë propozime konkrete, si ngrirja ose përgjysmimi i akcizës në produkte strategjike, apo rregullimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Këto, sipas tij, duhet të jenë prioritete. Ai paralajmëroi se çështja më kritike nuk është më thjesht rritja e çmimeve, por siguria e zinxhirit të furnizimit dhe disponueshmëria e mallrave ushqimore e produkteve të tjera. “Situata është shumë më serioze sesa e mendojnë politikanët kosovarë,” përfundoi Gërxhaliu.
