Trump premton 8 miliardë dollarë ndihmë për fermerët amerikanë pas rritjes së çmimit të naftës
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një program të ri financiar, me vlerë 8 miliardë dollarë, i cili do të mbështesë fermerët amerikanë në përballimin e kostove të rritura të naftës gjatë sezonit të korrjeve.
Gjatë një takimi elektoral në Kansas, Trump bëri të ditur se Departamenti Amerikan i Bujqësisë do të vërë në zbatim një program ndihme të përkohshëm. Ky program synon të kompensojë fermerët për shpenzimet e naftës diesel, të cilat përdoren në aktivitetet bujqësore.
“Jam i kënaqur të njoftoj se Departamenti i Bujqësisë do të nisë një program të ri ndihme, duke u ofruar fermerëve tanë 8 miliardë dollarë mbështetje për të kompensuar kostot e naftës diesel gjatë sezonit të korrjeve”, tha presidenti amerikan.
Programi synon të lehtësojë barrën financiare mbi fermerët, në një kohë kur kostot e karburanteve ndikojnë drejtpërdrejt në shpenzimet e prodhimit bujqësor.
Ky njoftim vjen në kuadër të një sërë premtimesh dhe angazhimesh financiare nga administrata Trump, në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, ku në lojë është edhe kontrolli i Kongresit.
Për momentin, shuma e njoftuar prej 8 miliardë dollarësh konsiderohet një paketë mbështetjeje e përkohshme për fermerët. Detajet mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve dhe kriteret e përfitimit pritet të bëhen të qarta nga autoritetet amerikane.
