**Parashikimi: Dita e sotme mund të jetë më e nxehta e vitit, me temperatura deri në 40 gradë Celsius**

Meteorologu Mendim Rugova ka paralajmëruar se dita e sotme pritet të shënojë kulmin e nxehtësisë për këtë vit, bazuar në parashikimet e fundit të temperaturave.

Duke folur në emisionin “Ora 7”, Rugova bëri të ditur se në Prishtinë, termometri mund të arrijë deri në 36 gradë Celsius. Situata pritet të jetë edhe më e nxehtë në zonën e Dukagjinit, veçanërisht në pjesët më të ulëta të Klinës, ku temperaturat mund të shkojnë deri në 39 gradë, duke iu afruar madje edhe 40 gradëve Celsius.

“Po, megjithatë sot mund të jetë dita më e nxehtë e vitit sipas parashikimeve deri tani,” theksoi Rugova.

Ai shtoi se këto vlera termike, ndonëse të larta, nuk konsiderohen të jashtëzakonshme për muajin gusht.