Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Rusia ka “humbur kontrollin” mbi industrinë e saj të naftës, duke e lidhur situatën me luftën në Ukrainë.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se një numër i madh rafinerish ruse janë dëmtuar dhe aktualisht janë jashtë funksionit. “Rusia për fat të keq ka humbur kontrollin e industrisë së saj të naftës për shkak të luftës me Ukrainën”, shkroi presidenti amerikan, duke iu referuar dëmeve në rafineritë e naftës.
Deklarata vjen një ditë para takimit të planifikuar të Trump me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Trump u shpreh gjithashtu se lufta po shkakton pasoja të rënda dhe përsëriti thirrjen e tij për përfundimin e konfliktit. Sipas tij, rreth 25 mijë persona, kryesisht ushtarë, humbin jetën çdo muaj. “Kjo luftë qesharake dhe e pafundme me Ukrainën duhet të marrë fund”, përfundoi Trump.
