Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kritikuar ashpër Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për situatën aktuale energjetike, duke e cilësuar atë si një dështim të rëndë qeverisës.
Në një postim të tij, Sadiku rikujtoi deklaratat e mëhershme të Kurtit, ku ky i fundit theksonte se “Kosova flinte mbi qymyr” dhe se “çmimi i energjisë do të lirohej kur ata të vinin në pushtet”. Deputeti theksoi shpenzimet e mëdha për importin e energjisë, investimet në riparimin e termocentraleve dhe subvencionet, të cilat, sipas tij, nuk kanë sjellë rezultatet e premtuara. Ai renditi: “1.1 miliard euro janë shpenzuar për import të rrymës, dhe ende vazhdohet me blerje. Qindra miliona euro thuhet se janë investuar në riparime të termocentraleve. Qindra miliona të tjera janë alokuar në subvencione dhe grante. Pas të gjitha këtyre miliardave, ku jemi sot?”
Sadiku renditi, sipas tij, problemet me të cilat po përballet sektori energjetik, duke përmendur: masat emergjente, ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, termocentralet që dalin vazhdimisht nga sistemi, mungesën e investimeve serioze në kapacitete të reja prodhuese, si dhe mungesën e një strategjie të qartë dhe vizioni energjetik. “Kemi qymyr nën tokë, por s’kemi rrymë mbi tokë”, ka deklaruar ai.
Duke përmbyllur, deputeti Sadiku vlerësoi se situata aktuale nuk është vetëm paaftësi, por një “dështim i rëndë qeverisës”. Ai shtoi se, pas gjithë këtyre dështimeve, qeveritarët “ende dalin dhe mbajnë ligjërata për sukseset e tyre”. Përfundimisht, Sadiku apeloi: “Kërkoni falje këtij populli!”
