Senegali apelon në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për titullin kundër Marokut
Senegali ka paraqitur një ankesë zyrtare pranë Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) pas vendimit të Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF) për t’i hequr fitoren e arritur në Kupën e Afrikës kundër Marokut.
Vendimi i CAF-it anuloi triumfin 1-0 të Senegalit dhe e regjistroi atë si humbje 3-0, duke ia dhënë kështu titullin Marokut.
Ky vendim erdhi pasi u vlerësua se lojtarët senegalezë kishin braktisur përkohësisht fushën e lojës në shenjë proteste ndaj një penalltie të diskutueshme, e caktuar në minutat shtesë. Federata e Futbollit të Senegalit kërkon anulimin e këtij vendimi dhe shpalljen e saj si fituese zyrtare të turneut.
CAS-i ka konfirmuar nisjen e procedurës, por thekson se procesi mund të zgjasë për shkak të kompleksitetit të rastit. Një panel arbitrazhi do të shqyrtojë çështjen, ndërsa afatet për një vendim final mbeten ende të paqarta.
Drejtori i përgjithshëm i CAS-it, Matthieu Reeb, ka theksuar se institucioni do të punojë drejt një zgjidhjeje sa më të shpejtë, duke garantuar njëkohësisht një proces të drejtë për të gjitha palët e përfshira.
