**Lundruesi gjobitet në Dhërmi pasi shkeli perimetrin e sigurisë në plazh**
Një drejtues mjeti lundrues në Dhërmi është gjobitur dhe mjeti i tij bllokuar, pasi rrezikoi jetën e pushuesve në plazh duke shkelur perimetrin e sigurisë.
Policia shqiptare njoftoi se e ka ndëshkuar drejtuesin me një gjobë prej 500 mijë lekësh për veprimin e kryer. Policia Kufitare ka bllokuar gjithashtu mjetin lundrues.
Në një njoftim zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare të DVKM Vlorë theksuan se kanë intensifikuar masat, duke shtuar ndjeshëm patrullimet në vijën bregdetare Vlorë-Ksamil.
“Gjatë patrullimit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë marrë njoftim nga pushuesit se një mjet lundrues tip gomone kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Dhërmiut, duke rrezikuar sigurinë e personave që bënin plazh,” thuhet në njoftimin e policisë.
Policia Kufitare u ka bërë thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë të caktuar për pushuesit në zonat e plazhit.
