Real Madridi e përmbysi rezultatin në minutat e fundit dhe e mposhti Romën me rezultat 4-3 të mërkurën mbrëma në “Stadio Olimpico”, në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Një nga lojtarët kryesorë që ndikuan në këtë fitore për Real Madridin ishte sulmuesi Endrick, i cili, interesantisht, është edhe një nga objektivat e Romës për afatin kalimtar të janarit.

Braziliani 20-vjeçar u inkuadrua në pjesën e dytë në vend të Vinicius Jr. dhe luajti në krahun e djathtë, duke i shkaktuar probleme skuadrës vendase. Në fund, ai e gjeti rrjetën me një goditje me kokë, pas një krosimi të Arda Gulerit.
Për paraqitjen e tij vendimtare në pjesën e dytë, Endricku u shpall lojtari i ndeshjes të mërkurën mbrëma.
Tani, sipas gazetarit Rodra (përcjellë nga “Madrid Xtra”), Jose Mourinho planifikon t’ia rrisë minutat në fushë Endrickut, pas paraqitjes së tij vendimtare kundër Romës.
Sulmuesi 20-vjeçar ka pasur vështirësi për të siguruar minuta dhe një rol të rëndësishëm në skuadër këtë sezon, pasi kishte lënë përshtypje të mira gjatë huazimit te Lyoni në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar.
Një lëndim në fazën përgatitore, së bashku me ardhjet e Carlos Espit dhe Yan Diomande gjatë afatit kalimtar të verës, ndikuan në situatën e përfaqësuesit brazilian.
Deri në ndeshjen kundër Romës, ai kishte luajtur vetëm katër minuta këtë sezon, pasi ishte inkuadruar si zëvendësues kundër Elches.
Megjithatë, kjo pritet të ndryshojë, pasi Endricku pritet të ketë një rol më të madh nën drejtimin e Mourinhos në vazhdim të sezonit.
Mungesa e minutave në fillim të sezonit kishte nxitur spekulimet për mundësinë e një tjetër huazimi në janar, ngjashëm me kalimin e tij te Lyoni në fillim të këtij viti.
Megjithatë, Mourinho tashmë e ka përjashtuar kategorikisht këtë mundësi, duke konfirmuar se llogarit në sulmuesin e ri dhe nuk do ta lejojë të largohet në mes të sezonit.
“Mbajini mend përsëri fjalët e mia, është e pamundur që Endricku të huazohet”, tha ai pas ndeshjes.
Siç u përmend më herët, Roma ishte njëra nga klubet e interesuara për të, së bashku me Milanin, ndërsa kishte edhe zëra se Aston Villa dëshironte ta transferonte.
Megjithatë, duke u bazuar në deklaratat e Mourinhos, mundësia që Endricku të largohet nga Real Madridi në afatin kalimtar të janarit tashmë është përjashtuar plotësisht./GazetaExpress/
