Një rast i rëndë dhune në familje është shënuar në Gjakovë, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar me thikë axhën e bashkëshortes së tij. Ky sulm erdhi pasi gruaja ishte larguar nga shtëpia për shkak të dhunës sistematike që ajo përjetonte.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, incidenti ndodhi më 21 nëntor, rreth orës 02:10 të mëngjesit, në shtëpinë e axhës së gruas. I dyshuari kishte shkuar atje me qëllim që të bisedonte me bashkëshorten e tij. Megjithatë, situata u përshkallëzua dhe ai dyshohet se sulmoi me thikë axhën e saj.
Të dy, si i dyshuari ashtu edhe viktima, kanë pranuar trajtim mjekësor. Pas ngjarjes, policia ka arrestuar të dyshuarin, nga i cili janë konfiskuar tri thika. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
