FBI-ja po heton një cenim të mundshëm të bazës së të dhënave të saj me informacione kriminale, raportojnë mediat amerikane, duke cituar burime të njohura me çështjen.

Baza e të dhënave e Qendrës Kombëtare të Informacionit për Krimet (NCIC) përdoret nga agjencitë federale dhe lokale ligjzbatuese për shkëmbimin e informacioneve mbi urdhërarrestet dhe verifikimet e të kaluarës së individëve.

Ky nuk do të ishte rasti i parë që hakerët shenjestrojnë FBI-në, agjencinë amerikane të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare. Agjencia nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga BBC.

I pyetur për cenimin gjatë një interviste të shtunën për Fox News, presidenti Donald Trump tha se sapo ishte informuar për sulmin kibernetik.

“Do të them se kjo nuk është gjë e mirë. Nuk më pëlqen”, tha ai.

“Por ndoshta do të mësojmë gjëra që përndryshe nuk do t’i kishim zbuluar kurrë”, shtoi Trump.

Ky cenim i mundshëm i bazës së të dhënave të FBI-së vjen pas një sërë ndërprerjesh teknologjike që prekën sektorin bankar, kontrollin e trafikut ajror dhe sektorë të tjerë në SHBA javën e kaluar. Zyrtarët kanë deklaruar se këto ndërprerje nuk janë pasojë e sulmeve kibernetike, por kanë tërhequr vëmendjen e ligjvënësve.

Drejtori Kombëtar i Sigurisë Kibernetike në Shtëpinë e Bardhë, Sean Cairncross, u shkarkua këtë javë, pasi Trump deklaroi se ai nuk ishte mjaftueshëm i kualifikuar për këtë post.

Dan Lorhmann, ish-analist i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), i tha BBC News Channel se të dhënat e NCIC-së përfshijnë “informacione thelbësore lidhur me aktivitetet kriminale në mbarë vendin” dhe se ato duhet të mbrohen.

Ai shtoi se, ndonëse agjencitë amerikane të sigurisë, përfshirë FBI-në, zotërojnë “aftësi të shkëlqyera” për t’i mbajtur të sigurta këto informacione dhe gëzojnë “respekt global”, numri i sulmeve kibernetike në mbarë botën është në rritje.

“Ka shumë arsye të ndryshme pse po ndodh kjo, por unë kam besim tek ekspertët tanë qeveritarë”, tha Lorhmann.

Në shtator, FBI-ja deklaroi se po hetonte një cenim të mundshëm të sigurisë nga grupi i krimit kibernetik ShinyHunters, i cili pretendonte se kishte vjedhur informacione të ndjeshme të të gjithë punonjësve të Byrosë, rreth 38 mijë persona.

Pas atij sulmi, një ish-agjent i FBI-së i tha BBC-së se shprehu shqetësim për sigurinë e punonjësve aktualë, pasi informacionet e tyre personale mund të bëheshin shpejt të qasshme në internet për kriminelët dhe hakerët e shteteve armiqësore.

Paralelisht, NBC raportoi për një sulm të mundshëm kibernetik ndaj Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA).

Punonjësit u njoftuan të enjten se sistemi i pagesave për fermerët ishte sulmuar, raportoi NBC. Departamenti Amerikan i Bujqësisë ende nuk ka bërë asnjë koment publik lidhur me këtë çështje.