Arturo Pérez-Reverte, shkrimtar dhe ish-korrespondent lufte spanjoll, ka reaguar ashpër pas njoftimit për vdekjen e kriminelit të luftës, Ratko Mladić. Gjatë viteve 1991-1994, Pérez-Reverte raportoi për televizionin publik spanjoll TVE nga zonat e luftës në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Pérez-Reverte, 74 vjeç, e quajti Mladiqin “kasapi i Bosnjës që shkaktoi aq shumë dhimbje”, duke e shprehur reagimin e tij në rrjetin social X.

Në reagimin e tij, ai shkroi me tone të forta: “Vdiq ai, kasapi i Bosnjës që shkaktoi aq shumë dhimbje. Krimbat do të dalin nga arkivoli i tij për të vjellë.”

Krahas postimit, ai publikoi edhe një fotografi të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i cili në Hagë ishte dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.

Gjatë karrierës së tij si gazetar lufte, Pérez-Reverte raportoi nga disa prej zonave më të rrezikshme të luftërave në ish-Jugosllavi, si Vukovari i rrethuar dhe Sarajeva. Në rrjetin X, ai ndiqet nga rreth 2.5 milionë persona dhe është i njohur në Spanjë për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe gjuhën e ashpër.

Në vjeshtën e vitit 1991, gjatë raportimeve të tij nga Kroacia, ai iu drejtua publikut spanjoll, duke theksuar se “lufta në Kroaci është absurde dhe mizore si çdo luftë tjetër, por me një dallim: ajo po zhvillohet në Evropë, më pak se tri orë fluturim me avion nga Madridi apo Parisi.”

Reportazhin e tij të fundit si gazetar lufte e realizoi në vitin 1994, duke kaluar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në Mostar me pjesëtarë spanjollë të misionit të OKB-së, të njohur si “helmetat blu”. Pas kësaj, ai u kthye në Madrid dhe u largua nga gazetaria.

Pas përfundimit të karrierës gazetareske, Pérez-Reverte kritikoi ashpër Komunitetin Evropian dhe ish-ministrin e Jashtëm spanjoll, Javier Solana, për mënyrën se si Evropa reagoi ndaj luftërave dhe krimeve në Kroaci e Bosnjë.

Në një intervistë të vitit 2020, ai kujtoi se gazetarët në terren ishin të tronditur kur shihnin zyrtarët evropianë duke komunikuar me udhëheqësit serbë të Bosnjës. “Evropa luajti pisët, secili sipas interesave të veta, ndërsa çmimin e paguanin banorët që jetonin atje,” kishte theksuar ai.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e gazetarëve të luftës, duke argumentuar se pa reporterët që rrezikuan jetën për të dokumentuar ngjarjet në terren, bota mund të mos kishte mësuar kurrë se çfarë kishte ndodhur.

Pas largimit nga gazetaria, ai iu përkushtua letërsisë dhe u bë një nga shkrimtarët spanjollë më të njohur. Ndër veprat e tij janë “Piktura e mjeshtrit flamand”, “Klubi Dumas” dhe “Mbretëresha e Jugut”.

Në vitin 2013, Pérez-Reverte u bë anëtar i Akademisë Mbretërore Spanjolle (RAE). Disa muaj më parë, ai publikoi librin e tij më të fundit, “Enviado especial” (“I Dërguari Special”), i cili përmbledh reportazhet e tij të luftës, përfshirë përvojat nga ish-Jugosllavia, Lindja e Mesme dhe zona të tjera konflikti.