Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut ka nisur një procedurë hetimore ndaj një punonjësi të Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në kuadër të Qeverisë, i dyshuar për veprën penale “Pranimi i shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, dyshohet se i dyshuari, i cili punonte si shofer i një funksionari të lartë qeveritar, në periudhën nga 24 korriku deri më 4 shtator të këtij viti, i kishte kërkuar 1.500 euro një qytetari. Qëllimi ishte shfrytëzimi i ndikimit të tij të pretenduar për të ndërmjetësuar tek zyrtarët e Qytetit të Shkupit, në lidhje me punësimin e qytetarit si zjarrfikës, përmes konkursit publik.

Rasti u denoncua nga qytetari i prekur. Më pas, Njësia për Luftimin e Korrupsionit pranë Byrosë për Siguri Publike, në koordinim me prokurorin publik, ndërmori veprime për sigurimin e provave.

Prokuroria bën të ditur se më 4 shtator të këtij viti, i dyshuari u kap në flagrancë gjatë dorëzimit të 500 eurove, të cilat ishin shënuar paraprakisht si pjesë e shumës së kërkuar prej 1.500 eurosh.

Për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë për të ndikuar te dëshmitarët dhe rrezikut të përsëritjes së veprës, prokurori publik kërkoi caktimin e masës së paraburgimit. Gjykatësi i procedurës paraprake e pranoi kërkesën dhe caktoi 30 ditë paraburgim për të dyshuarin.

Ministria e Brendshme (MPB) njoftoi më herët gjatë ditës se, pas denoncimit nga një qytetar, D.C., shofer në Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ishte kapur duke pranuar para të shënuara paraprakisht dhe më pas ishte privuar nga liria.

Prokuroria thekson se denoncimi në kohë i korrupsionit dhe gatishmëria e qytetarëve për të bashkëpunuar me institucionet kompetente janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ajo u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë rastet e kërkesës ose ofrimit të ryshfetit dhe ndikimit të kundërligjshëm, duke theksuar se kjo mundëson reagim të shpejtë, sigurim të provave dhe veprim efikas të institucioneve kompetente.