Shoqata e Prodhuesve kërkon gazin amerikan si alternativë energjetike
Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi, ka theksuar se bizneset në vend përballen vazhdimisht me sfida të shumta, përfshirë krizën energjetike, rritjen e çmimeve dhe vështirësitë në ruajtjen e konkurrueshmërisë në tregjet e huaja.
Ajvazi theksoi se sfida kryesore mbetet furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike, pasi ndërprerjet po ndikojnë negativisht në proceset e prodhimit dhe rrisin kostot. Për këtë arsye, ai ka kërkuar që gazi amerikan, së bashku me tubacionin e gazit nga Shkupi, të shërbejnë si alternativa për furnizim me energji.
“Ajo që kërkojmë është krijimi i alternativave për furnizimin me energji elektrike, siç është rasti përmes tubacionit të gazit nga Shkupi dhe përdorimi i gazit amerikan,” u shpreh Ajvazi.
Ai kujtoi se vitin e kaluar një sfidë ishte liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, ndërsa këtë vit ndikim kanë pasur rritjet e çmimeve, të shkaktuara nga konfliktet në Lindjen e Mesme. Ajvazi shtoi se pavarësisht këtyre vështirësive, prodhuesit po përpiqen të vazhdojnë dhe të rrisin prodhimin në vend.
Ai theksoi se prodhuesit vendorë po punojnë vazhdimisht për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e numrit të të punësuarve. Për më tepër, produktet kosovare kanë depërtuar me sukses në tregun evropian, falë respektimit të standardeve ndërkombëtare.
Megjithatë, Ajvazi theksoi se mbështetja institucionale është thelbësore për të ruajtur konkurrueshmërinë, sidomos kur ka rritje të çmimeve të lëndëve të para. Një mbështetje e tillë, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi, do të ishte e mirëseardhur për të mos humbur tregjet e jashtme, tha ai për Ekonomia Online.
Lidhur me masat konkrete të ndërmarra nga institucionet, Ajvazi deklaroi se nuk kishte parë diçka të prekshme. Ai përfundoi duke theksuar potencialin e madh të Kosovës për zgjerimin e përpunimit të produkteve dhe nënprodukteve, duke marrë parasysh nivelin e lartë të importeve aktuale.
