**Shqipëria po plaket: 80% e të moshuarve nuk përballojnë dot koston e një kujdestari privat**
Popullsia e Shqipërisë po plaket me ritme të shpejta, por pjesa më e madhe e të moshuarve përballen me vështirësi të mëdha për të siguruar kujdesin e nevojshëm. Ndërsa mbështetja nga familjarët bëhet gjithnjë e më sfiduese, alternativa e një kujdestari me pagesë mbetet luksi i paarritshëm për shumicën e pensionistëve.
Një anketë e PNUD-së e vitit 2025 (e cituar në raportin e fundit të UN Women mbi ekonominë e kujdesit) tregon se tetë në dhjetë të moshuar në Shqipëri nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një kujdestar. Kjo thekson një hendek të thellë social-ekonomik në vend.
Aktualisht, 95% e të moshuarve mbështeten tërësisht tek familjarët për përkujdesje, ndërsa vetëm 5% marrin ndihmë nga persona jashtë rrethit familjar. Nga këta të fundit, vetëm 2% mbështeten te kujdestarët me pagesë, kryesisht përmes shërbimeve të financuara nga shteti.
Fenomeni i emigracionit e vështirëson edhe më tej situatën. Ndër të moshuarit që nuk kanë një kujdestar, 61% përmendin mungesën e të afërmve si arsye kryesore, një problematikë kjo e theksuar sidomos jashtë Tiranës.
**Mungesa e shërbimeve komunitare**
Kapacitetet e shërbimeve institucionale mbeten shumë të kufizuara në raport me numrin në rritje të popullsisë së moshuar. Sipas raportit, Shqipëria ka vetëm 23 qendra rezidenciale për kujdesin e të moshuarve, të cilat u shërbejnë rreth 705 individëve, duke mbuluar kështu më pak se 1% të popullsisë mbi 65 vjeç.
Gjithashtu, në vend funksionojnë 36 qendra komunitare të kujdesit ditor, me rreth 3,000 përfitues. Megjithatë, pothuajse gjysma e bashkive në vend nuk ofrojnë asnjë shërbim komunitar për të moshuarit. Kjo mungesë është veçanërisht problematike në zonat rurale, ku mundësitë ekonomike dhe qasja në kujdesin profesional janë më të kufizuara.
Një tjetër problematikë e madhe lidhet me kualifikimin e personave që ofrojnë kujdes. Rreth 99% e kujdestarëve familjarë deklarojnë se nuk kanë as arsimim formal, as trajnim bazë për këtë punë, pavarësisht se shumë prej tyre kujdesen për persona me nevoja shëndetësore komplekse. Gratë përbëjnë më shumë se dy të tretat e kujdestarëve familjarë, duke mbajtur kështu pjesën më të madhe të barrës së papaguar të kujdesit.
UN Women konstaton se legjislacioni shqiptar nuk garanton qartësisht qasjen në kujdesin afatgjatë, ndërsa mungojnë mekanizmat e mbështetjes financiare, veçanërisht kur shërbimet publike nuk janë të disponueshme. Zgjerimi i shërbimeve në banesë dhe në komunitet, profesionalizimi i punonjësve të kujdesit dhe sigurimi i financimit të qëndrueshëm mbeten ndër nevojat kryesore të identifikuara për të adresuar këtë krizë.
Me plakjen e vazhdueshme të popullsisë, financimi i kujdesit për të moshuarit pritet të bëhet një çështje ekonomike gjithnjë e më kyçe, si për buxhetin e shtetit, ashtu edhe për financat familjare shqiptare.
Burimi: Monitor
