**Hapet për komunikacion një segment i Rrugës A në Prishtinë, merr emrin “Jim Xhema”**

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar dje hapjen për komunikacion të njërit prej segmenteve të Rrugës A, i cili tashmë mban emrin e veprimtarit të shquar shqiptar, Jim Xhema.

Rama ka theksuar se me këtë emërtim, kryeqyteti nderon një prej personaliteteve shqiptare që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare dhe shtetësinë e Kosovës.

“Jim Xhema, ky shqiptar i madh, nga sonte e ka emrin në zemër të Kryeqytetit”, ka cituar Rama fjalët e tij në postimin përkatës.

Ai ka shtuar se bëhet fjalë për një nga segmentet më thelbësore të kryeqytetit, duke vënë në pah se Prishtina nderon figurat që kanë kontribuar për vendin dhe synon të përmirësojë cilësinë e jetesës së qytetarëve përmes punës së palodhur dhe zhvillimit infrastrukturor.