Një shqiptar është vrarë me armë zjarri gjatë një tentative për grabitje në një banesë në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos, në Itali.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit, kur 35-vjeçari italian, pronar i banesës, dëgjoi zhurma brenda shtëpisë. Sipas raportimeve të mediave italiane, ai mori armën e zjarrit, të cilën e posedonte me leje, dhe qëlloi ndaj personave që dyshohet se kishin hyrë në banesë për të kryer grabitjen, shkruajnë mediat italiane .
Viktima, një shqiptar i moshës 35 deri në 40 vjeç, dyshohet se kishte hyrë në banesë së bashku me disa persona të tjerë. Bëhet fjalë për një shtëpi fshati që ishte në proces rinovimi.
Pas të shtënave, pronari telefonoi vetë policinë dhe njoftoi për ngjarjen. Në vendngjarje mbërritën shërbimet e emergjencës, të cilat tentuan t’i jepnin ndihmën e parë shqiptarit, por ai nuk mundi të mbijetonte.
Policia italiane ka nisur hetimet për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes, përfshirë rrethanat në të cilat u përdor arma dhe rolin e personave të tjerë që dyshohet se ishin të përfshirë në tentativën e grabitjes.
