E ardhmja e futbollistit kosovar, Edon Zhegrova, te Juventusi mbetet e pasigurt. Burime nga Turqia flasin për një interesim të theksuar të Trabzonsporit për transferimin e tij gjatë merkatos së verës.
Sipas mediave italiane e turke, klubi turk, Trabzonspor, e ka renditur anësorin kosovar si prioritet për repartin e tij sulmues.
Që kur iu bashkua Juventusit, Zhegrova nuk ka arritur të sigurojë një rol thelbësor te skuadra bardhezi. Minutat e pakta dhe konkurrenca e madhe në repartin sulmues kanë bërë që drejtuesit e klubit të shqyrtojnë mundësinë e largimit të tij.
Sipas raportimeve, Trabzonspori po punon për një formulë huazimi me opsion ose detyrim blerjeje. Nga ana tjetër, Juventusi nuk do ta kundërshtonte një marrëveshje që do t’i mundësonte futbollistit më shumë minuta loje.
Klubi turk konsiderohet aktualisht një nga skuadrat më të interesuara për shërbimet e anësorit të Kombëtares së Kosovës. Një faktor kyç që mund të ndikojë në vendimin e Zhegrovës është dëshira e tij për të qenë protagonist dhe për të luajtur rregullisht, sidomos në prag të një sezoni të rëndësishëm si për karrierën e tij ashtu edhe për kombëtaren e Kosovës.
“Messi i Kosovës” po vlerëson me kujdes opsionet e tij përpara se të marrë një vendim përfundimtar.
Nëse ky transferim konkretizohet, Zhegrova mund të bëhet pjesë e një projekti ambicioz te Trabzonspori dhe të ketë një rol më thelbësor sesa ai që pati gjatë sezonit të fundit te Juventusi.
Për momentin, negociatat janë në fazat fillestare dhe mbetet të shihet nëse interesimi i klubit turk do të shndërrohet në një ofertë zyrtare.
