Skuadra e njohur franceze, Bordeaux, gjashtë herë kampion i vendit, është përjashtuar nga të gjitha garat kombëtare për shkak të problemeve financiare.

Vendimi është bërë i ditur nga Drejtoria Kombëtare e Kontrollit të Menaxhimit (DNCG), pasi klubi nuk ka paguar detyrimin prej 9 milionë eurosh, të kërkuar nga mbikëqyrësi financiar.

Edhe pse Bordeaux ka apeluar vendimin, nëse situata nuk ndryshon, klubi rrezikon të bjerë në Régional 1, liga e gjashtë e futbollit francez.

Menaxhmenti i Bordeaux ka në dispozicion tri opsione për të shmangur këtë fat dhe për të apeluar vendimin e DNCG-së:

1. **Opsioni i parë, dhe më i thjeshti:** Pronari-president, Gérard Lopez, mund të injektojë 9 milionë euro për të financuar sezonin e ardhshëm, siç veproi edhe në verën e vitit 2023.
2. **Opsioni i dytë, një zgjidhje e ndërmjetme:** Fondi Sparta ofron një kredi prej rreth 10 milionë eurosh për të mbuluar nevojat financiare të vitit të ardhshëm.
3. **Opsioni i tretë:** Bordeaux Métropole pranon kërkesat e fondit Sparta lidhur me “Stade Atlantique”. Këto kërkesa përfshijnë uljen e qirasë aktuale me 1 milion euro, fiksimin e çmimit të blerjes së stadiumit dhe marrjen e një opsioni blerjeje nga këshilli vendor. Nëse kjo marrëveshje arrihet, fondi britanik i investimeve do të finalizonte blerjen e shumicës së aksioneve dhe do të mundësonte që “Girondinët” të qëndronin në nivelin e katërt të futbollit francez.

Burimi: IndeksOnline