Klubi i futbollit Trepça nuk do të bie në duar të investitorëve të huaj.

Biznesmenë nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës, Turqia dhe nga Kroacia e kishin shprehur interesimin për ta marrë menaxhimin e klubit të madh kosovar, shkruan “Gazeta Express”.

Ofertën dhe plan-programin e tyre, drejtuesve te Trepçës ua ka prezantuar përfaqësuesi i familjes Berisha, Blerim Berisha, që në këtë rast po e luante rolin e ndërmjetësuesit.

Ai pa dyshim se ka mbetur i zhgënjuer me neglizhencën e drejtuesve të klubit.

“Donatori nga Amerika, të cilin e kemi siguruar përmes një familjarit tonë, ka pritur përgjigje, por nuk e morëm deri tash. Nuk kemi kohë të humbim pasi kemi edhe punë të tjera. Është mungesë serioziteti nga ana e tyre, jemi duke i pritur qe sa dhe nuk na dhanë përgjigje për ofertën. Prandaj, investitorët janë tërhequr. Drejtuesit e klubit i përshëndes dhe ju uroj suksese”, theksoi Blerim Berisha për “Gazeta Express”.

Ish-futbollisti kosovar po “e vajton” mundësinë e lëshuar.

“Në fillim të takimit drejtuesve të klubit ua bëra me dije se donatorët kanë kërkuar që klubi të kthehet në shoqëri aksionare. Ishte një projekt fantastik, i cili do ta dërgonte klubin në nivele tjera, që nga akademia e klubit e me synime deri tek titulli kampion dhe dalja ne Evropë. Ishte një mundësi e artë, do të ishte një shpëtim për klubin. Do të shihte hajr jo veç Trepça, por edhe krejt futbolli i Kosovës”, vazhdoi tutje Berisha, i zhgënjyer që s’mori përgjigje.

Sidoqoftë, Trepça do të vazhdojë të menaxhohet nga familja Haxhiu, e cila e ka në pronësi klubin qe më shumë se dy dekada.

Ekipi Gjelbër e Zi në vitet e fundit ka garuar në Ligën e Parë, ndërsa pas luftës ishte shpallur edhe kampion i Kosovës.

Të gjithë presin dhe shpresojnë që një ditë ta shohin duke u rikthyer Trepça e madhe. /Gazeta Express