Sot nis java e katërt e Superligës së Kosovës në futboll
Sot do të startojë xhiroja e katërt në Superligën e Kosovës në futboll, duke sjellë përballje interesante në fushë.
Dueli i parë i kësaj jave zhvillohet në Hajvali, ku Prishtina do të presë Vushtrrinë duke filluar nga ora 16:00. Prishtina vjen në këtë takim me një formë të mirë, duke regjistruar dy fitore në dy ndeshjet e zhvilluara dhe ka nisur sezonin në mënyrë mbresëlënëse.
Nga ana tjetër, Vushtrria gjendet në vendin e parafundit të tabelës, pa asnjë pikë të grumbulluar nga tri ndeshjet e para.
Nesër, ditën e shtunë, programi do të vazhdojë me dy sfida tjera. Llapi do të presë Dukagjinin po ashtu nga ora 16:00, ndërsa në mbrëmje, nga ora 19:00, Drita përballet me Drenicën në Gjilan.
Dita e diel do të përmbyllë këtë javë me dy takime po ashtu interesante. Ballkani do të ndeshet me Feronikelin 74, teksa Malisheva do të presë Gjilanin. Të dyja këto ndeshje nisin nga ora 16:00.
