**Aksident tragjik në Dollc të Klinës: Një person humb jetën, katër lëndohen; një i plagosur dërgohet në QKUK**

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit, rreth orës 04:55, në fshatin Dollc të Klinës. Si pasojë e ngjarjes, një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Spitali Rajonal i Pejës ka bërë të ditur detaje rreth gjendjes së të lënduarve. Sipas njoftimit të Spitalit, katër persona të plagosur janë pranuar pas aksidentit. Pas ofrimit të ndihmës mjekësore, njëri prej tyre është dërguar për trajtim të specializuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Një tjetër person po vazhdon trajtimin në Spitalin e Pejës, ndërsa dy persona, pas marrjes së shërbimeve mjekësore, janë liruar në gjendje të qëndrueshme për në shtëpi.

Spitali theksoi gjithashtu se, sipas informacioneve të marra nga organet kompetente, personi që humbi jetën nuk është sjellë në ambientet e këtij spitali.

Detajet fillestare rreth ngjarjes u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës, e cila informoi se aksidenti ka rezultuar me vdekjen e një personi dhe lëndimin e katër të tjerëve.