Pas gjashtë dekadash në ekran, “Star Trek” po provon diçka që ekskluzivisht lidhej më shumë me rivalin e tij “Star Wars”: kukullat.
Në episodin më të ri të “Star Trek: Strange New Worlds”, ekuipazhi i anijes “Enterprise” pëson një aksident të pazakontë gjatë teleportimit dhe përfundon i shndërruar në personazhe prej pëlhure, të krijuara nga legjendarja “Jim Henson’s Creature Shop”.
Episodi, i titulluar “Level-Five Transporter Accident”, vazhdon traditën e gjatë të serialit ku teleportimi shpesh sjell pasoja të paparashikueshme. Por këtë herë transformimi shkon shumë më larg: pjesa më e madhe e ekuipazhit përfundon si kukulla të stilit “Muppet”.

Një eksperiment i madh për një seri që mbush 60 vjet
Producenti i “Strange New Worlds”, Henry Alonso Myers, pranon se ideja ishte e guximshme.
“Mendova se do të ishte një hap i madh për ne, por kaluam shumë kohë duke diskutuar se si ta bënim të funksiononte si një episod të mirëfilltë të ‘Star Trek’. E dija se nëse nuk do të ndihej si ‘Star Trek’, atëherë nuk do të funksiononte”, tha ai.
Ky është një ndryshim i madh për një univers që gjatë afro 1,000 episodeve dhe 13 filmave ka përdorur pothuajse gjithmonë aktorë me grim dhe proteza për të krijuar qeniet aliene.
Në këtë aspekt, “Star Trek” ka qenë shumë ndryshe nga “Star Wars”, ku kukullat kanë qenë pjesë e identitetit që nga vitet ’70.

Nga Yoda te Grogu, “Star Wars” e bëri kukullën pjesë të magjisë
Yoda në “The Empire Strikes Back” mbetet një nga personazhet më ikonike të realizuara me kukull.
Brian Herring, kukullari britanik që kontrollonte droidin BB-8 në filmat e rinj të “Star Wars”, shpjegon se George Lucas përdorte çdo teknikë të mundshme për t’i dhënë botës së tij ndjesinë e një universi të gjallë.
“Universi i ‘Star Wars’ kishte një cilësi shumë fizike, shumë të prekshme. Në vitet ’70 dhe ’80, George Lucas përdorte gjithçka që kishte në dispozicion: kukulla, kostume krijesash dhe efekte të tjera praktike”, tha Herring.
Që prej asaj kohe, kukullat janë bërë pjesë e shumë produksioneve të famshme fantastiko-shkencore, nga “E.T.” te “Gremlins” dhe “Little Shop of Horrors”.

Pse “Star Trek” i shmangu për kaq gjatë?
Sipas Dr. Chris Nunn nga Universiteti i Birminghamit, “Star Trek” vendosi shumë herët të ndërtonte alienët përmes grimit dhe protezave.
“Krijesat zakonisht interpretoheshin nga aktorë njerëzorë nën maska dhe grim të rëndë. Ky stil vazhdoi për dekada”, shpjegon ai.
Megjithatë, “Strange New Worlds” është bërë i njohur pikërisht për eksperimentet e tij.
Seriali ka realizuar më parë një episod tërësisht muzikor, “Subspace Rhapsody”, si dhe “Those Old Scientists”, ku u kombinua aksioni real me animacionin.
Spock mbetet njeri, të tjerët bëhen kukulla
Për episodin e ri, krijuesit morën një vendim të rëndësishëm: Spock, i interpretuar nga Ethan Peck, mbetet në formën e tij normale, ndërsa pjesa tjetër e ekuipazhit shndërrohet.
“Spock ishte personazhi i dukshëm për t’u përballur me këtë problem, sepse ai është aq logjik”, tha Myers.
Regjisorja Jordan Canning pajtohet.
“Spock ishte 100 për qind zgjedhja e duhur. Ai është personazhi perfekt serioz përballë gjithë këtij kaosi”, tha ajo.

Kukullat e bënë aktrimin më të besueshëm
“Strange New Worlds” përdor gjerësisht teknologjinë “Volume”, një ekran gjigant LED që zëvendëson shumë skenografi tradicionale.
Por në këtë episod, fakti që aktorët kishin përballë kukulla reale dhe jo objekte që do të shtoheshin më vonë me efekte vizuale, e bëri performancën më organike.
“Kur ke kukullarë shumë të mirë, nuk ke nevojë të sforcohesh për të imagjinuar personazhin. Fillon menjëherë të ndiesh lidhje me të”, shpjegoi Canning.
Myers shtoi se fakti që Ethan Peck ndërvepronte fizikisht me kukullat e bëri skenën shumë më reale sesa sikur ai të shikonte thjesht një pikë orientimi që më vonë do të zëvendësohej me CGI.
Grogu tregoi se kukullat ende mund të vjedhin skenën
Një shembull modern i fuqisë së efekteve praktike është Grogu, i njohur edhe si “Baby Yoda”, nga “The Mandalorian”.
Dawn Dininger, një nga pesë kukullarët që kontrollojnë Grogu-n, thotë se aktorët shpesh harrojnë se po punojnë me një objekt.
“Ata thjesht mendojnë se është një foshnjë. Fillojnë ta përkundin dhe të luajnë me të. Harrojnë që ne jemi aty duke e kontrolluar”, tha ajo.
Populariteti i Grogu-t u bë aq i madh, sa filmi i ri i lidhur me serialin mban titullin “The Mandalorian and Grogu”.
Dininger tregoi se edhe yje të mëdhenj të Hollivudit emocionohen kur punojnë me personazhin.
Ajo kujtoi një skenë me Sigourney Weaver, e cila pas xhirimeve kërkoi vetë të fotografohej me Grogu-n.

Rikthimi i efekteve praktike
Në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, filmat “Star Wars” u mbështetën shumë te ekranet e gjelbra dhe CGI-ja.
Madje edhe Yoda u zëvendësua nga një version digjital, një vendim që nuk u prit mirë nga të gjithë fansat.
“Papritur Yoda po kërcente nëpër ekran. Për ne që ishim rritur me kukullën, ishte pak e çuditshme”, kujton Nunn.
Në trilogjinë e fundit të “Star Wars”, krijuesit iu rikthyen më shumë kukullave, modeleve dhe efekteve praktike.
Sipas Nunn, kjo nuk lidhet vetëm me nostalgjinë.
“Kur një regjisor përdor mjeshtëri fizike dhe elemente të punuara me dorë, krijohet ndjesia se ai kujdeset vërtet për botën që po ndërton.”
A do të vazhdojnë kukullat në “Star Trek”?
Për momentin, kjo mbetet e paqartë.
“Strange New Worlds” pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, ndërsa e ardhmja e produksioneve të tjera të “Star Trek” është në pritje të zhvillimeve pas bashkimit Paramount-Skydance.
Por kukullat e episodit të ri nuk janë zhdukur.
“Ato janë në magazinë. Do të ekzistojnë gjithmonë”, tha Canning.
Regjisorja madje do të dëshironte që ato të riktheheshin në formën e filmave të shkurtër ose një serie online.
“Nëse fansave u pëlqen, le t’i nxjerrim përsëri. Lërini kukullat të luajnë.”
Pas 60 vitesh eksplorimi të galaktikës, “Star Trek” më në fund po shkon aty ku “Star Wars” kishte mbërritur dekada më parë – në universin e kukullave. /GazetaExpress/
