Sulme të reja ajrore izraelite janë regjistruar në jug dhe lindje të Libanit, një ditë pasi një bombardim tjetër shkaktoi vdekjen e 11 personave, sipas autoriteteve libaneze.

Ministria libaneze e Shëndetësisë e cilësoi sulmin e së shtunës si “masakër”, duke theksuar se mes viktimave ishin gjashtë gra dhe një fëmijë. Gjithashtu, u raportuan edhe nëntë të plagosur, përfshirë një fëmijë.

Sulmet e fundit u regjistruan në zonat jugore dhe në rajonin e Bekaas, në lindje të vendit. Sipas mediave libaneze, disa nga bombardimet ndodhën pasi Ushtria Izraelite (IDF) kishte kërkuar evakuimin e 11 fshatrave në këto zona.

Izraeli pohon se vazhdon operacionet kundër objektivave që i konsideron të lidhura me Hezbollahun, pavarësisht armëpushimit i cili hyri në fuqi më 17 prill dhe ishte zgjatur së fundmi.

Nga ana e saj, Hezbollahu njoftoi se kishte lëshuar raketa ndaj forcave izraelite që operonin në territorin libanez. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi se Izraeli ishte “i detyruar të vepronte me forcë” ndaj Hezbollahut, duke e akuzuar grupin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Ndërkohë, Mbrojtja Civile Libaneze njoftoi se një nga qendrat e saj në rajonin e Nabatieh ishte shkatërruar gjatë sulmeve të natës.

Në të njëjtën kohë, autoritetet libaneze kishin nisur bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin nën ndërmjetësimin e SHBA-së, ndërsa Hezbollahu i kundërshton këto negociata.