**Sulmohet Miss Venezuela, publikon fytyrën e përgjakur**
Modelja dhe mbretëresha e bukurisë së Venezuelës, Andrea del Val, ka ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale pasi publikoi pamje shqetësuese nga një dhomë hoteli në Kanë. Ajo pretendon se është sulmuar fizikisht nga stilisti i njohur Giovanni Laguna, gjatë kohës që po merrte pjesë në Festivalin e Filmit në Kanë.
Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, Del Val shfaqet me fytyrën e mbuluar me gjak, ndërsa pamja e dhomës së hotelit tregon shenja shkatërrimi pas incidentit të dyshuar. Ajo dëgjohet duke thënë në spanjisht: — Shikoni çfarë më bëri Giovanni Laguna.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, mysafirët e hotelit njoftuan menjëherë policinë, pasi dëgjuan britma dhe ishin dëshmitarë të shenjave të një konflikti fizik. Laguna u shoqërua më pas nga autoritetet franceze për t’u marrë në pyetje lidhur me incidentin. Deri tani, nuk është konfirmuar nëse ndaj tij janë ngritur akuza zyrtare.
Giovanni Laguna njihet në Amerikën Latine si stilist i figurave publike dhe i konkurrenteve të spektakleve të bukurisë. Është raportuar se Del Val ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
