Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk ka pranuar të komentojë nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për zhbërjen e Gjykatës Speciale në Hagë.

Pas akademisë përkujtimore në nderim të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, Sveçla u pyet nga gazetarët lidhur me këtë nismë, por tha se qëndrimin e tij për sot e kishte dhënë gjatë fjalimit në akademi.

“Krejt çka pata me thonë për sot e thashë në akademinë përkujtimore të heroit Afrim Bunjaku”, tha ai.

Sveçla u pyet edhe se pse, sipas gazetarëve, nga kabineti qeveritar nuk po merr pjesë askush në marshin përkujtimor.

Edhe për këtë çështje, ministri nuk pranoi të komentojë, duke thënë se nuk e konsideron momentin e duhur për të folur për tema të tjera, në kohën kur po përkujtohet Afrim Bunjaku.

“Nuk besoj që është momenti i duhur me komentu për këto gjëra në kohën kur e kujtojmë Afrim Bunjakun”, shtoi ai.