Ekspozita “Sy më sy”: Bebëzat e syrit, dëshmi e dhunës seksuale në luftë dhe kërkesë për drejtësi

Ekspozita “Sy më sy”, e hapur në Prishtinë më 19 qershor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, sjell në publik rrëfimet e dhimbshme të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo e bën këtë në një mënyrë të veçantë: në vend të fotografive tradicionale, ekspozita shfaq bebëzat e zmadhuara të syve, të cilat mbartin dëshmi, kujtime dhe histori të heshtura për dekada. Kjo iniciativë, e organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe “Pro Peace Kosovo”, synon të adresojë plagën e luftës përmes një qasjeje të ndjeshme artistike dhe memoriale.

Në këtë ekspozitë, syri shndërrohet në një gjuhë vizuale të pazakontë. Irise të zmadhuara, të shfaqura në mure të bardha, reflektojnë vijat, ngjyrat dhe rrathët e bebëzave, duke kapërcyer gjurmët biologjike për të zbuluar kujtimet e thella. Koncepti kuratorial thekson se irisi është një metaforë e njohjes, pranimit dhe ballafaqimit, një portal kompleks mes botës së brendshme psikologjike dhe vështrimit të shoqërisë. Ai fton publikun jo vetëm të shohë, por të reflektojë mbi vuajtjen, forcën dhe guximin e atyre që kanë bartur plagët e luftës.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, shpjegon se emri “Sy më sy” është një thirrje për ballafaqim të drejtpërdrejtë me të vërtetën. “Me anë të bebëzave të syve të kësaj ekspozite arrijmë ta shohim dhimbjen e personave të mbijetuar të dhunës seksuale, por edhe forcën, pritjen dhe guximin e tyre. Nganjëherë mund të rikujtojmë edhe viktimat tjera që nuk janë fatkeqësisht në mesin tonë, si dhe shpresën e atyre që luftojnë për drejtësi,” theksoi ajo. Rushiti shtoi se ekspozita shërben si një kujtesë për dialogun e domosdoshëm mes të mbijetuarve, familjarëve dhe shoqërisë, duke nënvizuar se dhuna seksuale prek familje të tëra dhe bartet në breza, duke mbajtur me vete peshën e stigmës.

Me një histori 27-vjeçare, QKRMT ka qenë pikë referimi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Megjithatë, Rushiti thekson se rruga drejt shërimit dhe drejtësisë mbetet e papërfunduar. “Edhe sot, shumë të mbijetuar vazhdojnë të përballen me pasojat e traumës dhe pengesa në realizimin e të drejtave të tyre, shpesh për shkak të stigmës dhe paragjykimit që fatkeqësisht vazhdon të ekzistojë në shoqërinë tonë,” përfundoi ajo.

Ekspozita, e hapur në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës, ka nxjerrë në pah rëndësinë e dokumentimit të përvojave të të mbijetuarve të dhunës seksuale. Pranë secilit imazh të irisit, gjenden rrëfime gojore dhe citime nga botimet e QKRMT-së, të cilat përshkruajnë historitë e grave dhe burrave të mbijetuar, familjarëve të tyre, si dhe portretet e atyre që kanë guxuar të flasin publikisht, si Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyhrete Tahiri-Sylejmani dhe Ramadan Nishori.

Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, theksoi rëndësinë e trajtimit të të mbijetuarve me respekt dhe dinjitet, duke mos i lënë në margjinat e kujtesës kolektive. “Personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës janë pjesë e historisë sonë dhe e përgjegjësisë sonë shtetërore. Ata nuk mund të mbesin skaj përkujtesës,” u shpreh ajo. Haxhiu bëri të ditur se tashmë ka një zyrë mbështetjeje në Presidencë për të mbijetuarit, e drejtuar nga të dërguarat e posaçme Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyrete Tahiri-Sylejmani. Ajo inkurajoi viktimat të aplikojnë për njohjen e statusit, duke garantuar hapjen e institucioneve ndaj kërkesave për ndryshime ligjore.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë edhe përfaqësues ndërkombëtarë. Ambasadori i Gjermanisë, Rainer Rudolph, theksoi se iriset dhe portretet e ekspozuara janë “një homazh i gjallë dhe i fuqishëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale” dhe se “çdo iris është unik, pasi çdo histori është unike,” duke ndihmuar në reduktimin e stigmës. Edhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreave, vlerësoi ekspozitën si një ballafaqim të publikut me realitetin e përvojave të të mbijetuarve, duke vënë në dukje “elasticitetin dhe guximin” e tyre dhe mesazhin e tyre të thjeshtë: “Duam të dëgjohemi, duam të njihemi dhe duam të trajtohemi me respekt.”

Korab Krasniqi nga “Pro Peace” shpjegoi se gjuha vizuale e ekspozitës krijon një përballje reciproke, ku sytë e të mbijetuarve drejtojnë vëzhgimin kah publiku, duke e shndërruar shikimin “jo vetëm në proces biologjik, por në hap etik dhe politik.” Venesa Sulejmani, vajza e aktivistes Shyhrete Tahiri, shtoi zërin e brezit të ri, duke theksuar rëndësinë e mos fshehjes nga kujtesa dhe luftës kundër stigmës. “Si mund të ndalojmë së heshturi ne fëmijët dhe familjarët që ishin dëshmitarë të akteve të tilla të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë? Pikërisht para syve tanë,” tha ajo.

Ekspozita “Sy më sy” me imazhet e irisit të grave dhe burrave të mbijetuar, si dhe të familjarëve të tyre, shoqëruar me rrëfime gojore, dëshmon se syri nuk është vetëm organ i shikimit, por një akt rezistence dhe një thirrje për njohje. Ajo sfidon stigmatizimin dhe thyen heshtjen për historitë e pashlyeshme të luftës, duke kërkuar jo keqardhje, por drejtësi dhe dinjitet për të mbijetuarit.