Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se Ramush Haradinaj është profili dhe lideri ideal për president të Kosovës. Ai ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, njëherësh edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për mungesë vullneti në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Tahiri, në një prononcim për KosovaPress, theksoi se Aleanca nuk e sheh të nevojshëm një takim me Kurtin, pasi, sipas tij, ende nuk ka marrë përgjigje për gjashtë kërkesat që i ka parashtruar AAK, përfshirë këtu edhe çështjen e gazit amerikan. Ai e cilësoi procesin e deritanishëm për zgjedhjen e presidentit si një proces të destinuar për konsum publik.

Kosova ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit, përndryshe do të shkojë në zgjedhje të reja, më së voni deri më 15 nëntor. Në pyetjen nëse Aleanca do të pranojë të takohet me Kurtin pas dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat e Specializuara, Tahiri u shpreh:

“Çfarë diskutimi thelbësor ka pasur për gjashtë kërkesat tona? A na ka ftuar në takim? Njësoj sikur të tjerët, ne e kemi thënë: nuk kemi nevojë, nuk po kërkojmë takim, as nuk dëshirojmë të jemi pjesë e qeverisë. Çfarë po kërkon ti prej meje, a po më informon se çfarë mendon për këto gjashtë pika? Po çfarë ndodhi? A e patë çfarë ndodhi? Është propozuar një kandidat që nuk gjeti mbështetje. Nuk diskutoj, e kam qëndrimin tim për atë temë dhe nuk dua të hyj më thellë. Ditën e parë e kam thënë, i gjithë procesi i diskutimit për zgjedhjen e presidentit, në këtë format, është për konsum publik, me synimin për të mos u zgjedhur një president. Seriozitet do të thoshte që unë t’ju kisha dërguar një letër. Ju kam adresuar gjashtë pika, por për këto pika nuk më keni kthyer përgjigje me shkrim. Unë ju kam thënë, ky është qëndrimi im, ti mund të më kishe thënë: hajde të ulemi, të flasim për ndërtimin e institucioneve. Ne nuk po duam të hyjmë në institucione. Unë po ju them, për të siguruar shtatë votat e Aleancës, nuk keni nevojë t’i ofroni Aleancës një, dy, tre, katër pozita… Kur ka vullnet, gjithmonë mënyra mund të gjendet. Por kur ekziston vullneti për të mashtruar njëri-tjetrin, atëherë shihet qartë se nuk ka vullnet real. Aty ka lojë, jo vullnet të mirëfilltë,” tha Tahiri.

I pyetur për mundësinë e një kandidati të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca, veçanërisht pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara, Tahiri tha se kjo mbetet në dorën e opozitës për të përcaktuar se çfarë profili dhe lideri i duhet Kosovës në këto rrethana. Sipas tij, Ramush Haradinaj është profili dhe lideri për president që i duhet Kosovës dhe rajonit.

“Kjo është në dorën e opozitës. Çfarë profili dhe lideri i duhet Kosovës në rrethanat në të cilat është, e di çdo qytetar. Çkado që të them tani, të gjithë mund të thonë se unë kam dëshirë personale, apo se e kam kandidatin tim. Por nuk e kam dëshirë personale, dhe, përbesë, zoti Haradinaj nuk është në pozicion të vështirë apo në nevojë për këtë post. Në rrethanat në të cilat është sot Kosova dhe Ballkani Perëndimor, unë jam i bindur se Ramush Haradinaj do t’i kishte bërë nder dhe do të kishte qenë një president që do t’i kishte shërbyer vendit. Ai ka ndonjëherë qëndrimet e tij specifike, por vetëm një gjë po ju them: kurrë nuk i ka bërë dëm Kosovës pas luftës. Për periudhën e luftës nuk dëshiroj të hyj në detaje, por populli e di. Ka kaluar shtatë vjet në burg, ndërsa gjatë periudhës kur ka qenë në qeveri, e ka pasur të vështirë për shkak të numrit të vogël të deputetëve, por megjithatë i la Kosovës ushtrinë dhe shumë çështje të tjera të rëndësishme. Në këto rrethana do t’i kishte përafruar palët,” shton Tahiri.

Tahiri deklaron se Aleanca është gati për zgjedhje të reja nëse nuk arrihet dakordimi për presidentin deri më 6 tetor. “Aleanca si subjekt politik ka treguar se edhe në situata të vështira, jo vetëm që siguron gjashtë, por shtatë deputetë. Aleanca, në zgjedhjet e ardhshme, nuk po them se do të dyfishohet apo trefishohet, por do të dalë e konsoliduar si forcë politike. Është e vetmja parti politike që ka qëndrime shumë të sakta për gjithçka,” thekson Tahiri.

Më 28 dhjetor, deputetët do të mblidhen në seancën e parë plenare të legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës. Ndër të tjera, pritet të miratohet edhe një deklaratë në kundërshtim me dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së. Tahiri shpjegon efektet që mund të ketë ky veprim i Kuvendit.

“Nuk ka efekt juridik, por ka efekt politik, duke e detyruar qeverinë të veprojë, pasi deklarata duhet të jetë një tekst i pajtuar me të gjitha grupet parlamentare. Dhe ne do të presim të shohim se cila do të jetë përmbajtja e saj. Esenca është kjo: kur nuk ka një qëndrim institucional, shtetëror, atëherë i lë hapësirë për spekulime dhe konspiracione te palët të cilat janë kundër asaj që ne po themi. Këta kanë folur në Facebook, këta kanë bërë video, por nuk ka një qëndrim të shkruar, nuk ka një qëndrim të votuar nga institucionet… Ajo që duhet të dijë çdo zyrtar shtetëror në raport me 16 shtatorin është kjo. Këta katër burra nuk kanë nevojë që dikush t’i vajtojë. Ata burra kanë nevojë për veprim shtetëror nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë në raport me procesin që kanë përpara, respektivisht me çështjen e apelit,” thekson ai.

Ai kërkon nga qeveria që më së voni javën e ardhshme të kthejë në Kuvend ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara. “As nuk është kauzë, as nuk fiton askush asnjë votë me këtë temë, sepse fëmija në djep nuk mund të më mashtrojë, e lëre më votuesin. Dhe në qoftë se ky ka qenë qëllimi, gjë që unë e di se nuk ka qenë, por qëllimi është të bëhen disa provizione që ndihmojnë procesin, kështu të paktën na u shpjegua dhe unë të paktën këtë e besoj dhe dua ta besoj… Këtë temë rreth rolit të Qeverisë në këtë ligj e theksova edhe në Kryesinë e Kuvendit. Pse e theksova? Nuk ka asnjë logjikë të pritet 30 ditë, sepse ne e dimë pse po e bëjmë këtë ligj. Në qoftë se ka ndonjë ankesë apo nevojë për konsultim, këtu janë palët që e kanë shkruar këtë ligj. Mund të diskutojmë rreth kësaj teme. Qeveria do të duhej, jo më larg se deri të hënën, t’ia kthente këtë ligj Kuvendit, në mënyrë që ky ligj të finalizohet sa më shpejt,” përfundon Tahiri.