Tre persona të akuzuar për sulmin e ndodhur më 29 nëntor 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit, në Varagë të Zubin-Potokut, nuk e kanë pranuar fajësinë gjatë paraqitjes së tyre në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq (ky i fundit po mbrohet në liri), deklaruan se nuk ndihen fajtorë për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, vëllezërit Viqentijeviq dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, pas një marrëveshjeje paraprake, dyshohet se kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit Trinitrotoluene (TNT) në kanalin e Ibër-Lepencit. Ky kanal është një infrastrukturë kritike publike, thelbësore për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për prodhimin e energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Qëllimi i dyshuar i sulmit ishte frikësimi serioz i popullsisë dhe rrezikimi i rendit kushtetues e sigurisë së Republikës së Kosovës.
Shpërthimi i fuqishëm, i shkaktuar nga aktivizimi i eksplozivit me fitil, dëmtoi rëndë strukturën e betonit të kanalit. Si pasojë, u ndërpre furnizimi me ujë të pijshëm për banorët e disa komunave veriore dhe qendrore të Kosovës, u pengua furnizimi me ujë për KEK-un dhe u rrezikua prodhimi i energjisë elektrike në nivel vendi. Prokuroria thekson se këto veprime krijuan rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë, si dhe dëmtuan infrastrukturën kritike shtetërore. Dëmi material i shkaktuar ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” vlerësohet në 376.774 euro e 70 centë.
Për këto veprime, të akuzuarit ngarkohen me veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” në bashkëkryerje me “Kryerjen e veprës terroriste”, sipas Kodit Penal të Kosovës. Vëllezërit Viqentijeviq akuzohen veçmas edhe për armëmbajtje pa leje, pasi Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme armatimi luftarak gjatë kontrolleve në shtëpitë e tyre në Zubin-Potok dhe Prevllak.
