Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka deklaruar se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian mbetet e hapur, por po bllokohet nga qeveria aktuale. Sipas ASH-së, këtë e vërtetojnë edhe deklaratat e fundit të Komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, të cilat konfirmojnë atë që qytetarët e dinë prej kohësh: mundësia për anëtarësim ekziston, por qeveria nuk po e shfrytëzon.
ASH thekson se Komisionerja Kos, edhe njëherë, e bëri të qartë se miratimi i ndryshimeve kushtetuese është një kusht i domosdoshëm për nisjen formale të negociatave. Partia paralajmëron se pa një konsensus ndërpartiak për Kodin Zgjedhor, momenti aktual rrezikon të humbasë apo të shpërdorohet.
“Fakti që Bashkimi Evropian parashikon pranimin e një anëtari të ri nga Ballkani Perëndimor deri në vitin 2028, rrit ndjeshëm përgjegjësinë e klasës politike vendase,” citohet ASH-ja. “Ndërkohë që Mali i Zi po përgatitet të përfitojë trefish më shumë fonde nga BE-ja falë progresit të tij, Maqedonia e Veriut rrezikon të ngecë pas. Kjo nuk ndodh për shkak të kushteve të jashtme, por si pasojë e paaftësisë së brendshme vendimmarrëse dhe mungesës së vullnetit politik.”
Sipas Aleancës, “premtimet e Koalicionit VLEN për prioritetin evropian dhe kërcënimet për rishqyrtim të pjesëmarrjes në qeveri, në mungesë të veprimit konkret, kanë mbetur thjesht retorikë.” Ata shtojnë se “çdo vit vonesë, si pasojë e kësaj bllokade, nënkupton humbjen e shumë mundësive, më pak investime, një standard më të ulët jetese dhe një shtim të emigrimit të të rinjve, të cilët zgjedhin Evropën jo nëpërmjet institucioneve të vendit të tyre, por duke braktisur atë plotësisht.”
