Të shtëna me armë në Gjermani: Plagoset rëndë një kosovar 33-vjeçar

Një shtetas kosovar, 33 vjeç, është qëlluar me armë zjarri pas një konflikti me dy persona të tjerë në Mynih të Gjermanisë.

Ngjarja ka ndodhur të martën në mbrëmje, rreth orës 21:45, në kryqëzimin e rrugëve Neuherbergstraße dhe Schleißheimerstraße.

Sipas raportimeve të medias gjermane “zeitung-münchen.de”, personi i dyshuar për tentativë vrasje dhe bashkëpunëtori i tij u larguan pa u kapur, pavarësisht kërkimeve të gjera policore. Organet hetimore po hetojnë rastin.

Pavarësisht plagëve të marra, kosovari arriti të shkonte drejt qendrës së qytetit, deri pranë stacionit të metrosë Dülferstraße. Nga aty, ai telefonoi numrin e urgjencës së policisë.

Përveç telefonatës së viktimës, shumë banorë njoftuan policinë për shkak të të shtënave me armë zjarri. Shërbimet e urgjencës e transportuan 33-vjeçarin në spital me një plagë në bark. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente natën e ngjarjes.

Gjendja shëndetësore e 33-vjeçarit është e qëndrueshme dhe jeta e tij nuk është në rrezik, konfirmoi një zëdhënës i policisë të mërkurën, sipas informacioneve të transmetuara nga albinfo.at.

Dy të dyshuarit mbeten në arrati. Policia po e heton rastin si tentativë vrasjeje dhe ka bërë thirrje për ndihmën e dëshmitarëve për identifikimin e autorëve.