Të shtëna me armë zjarri në aheng familjar në Kaçanik, dy të arrestuar

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Kaçanik, nën dyshimin se kanë shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar. Ngjarja, e cila u raportua mbrëmjen e 23 gushtit rreth orës 22:30, ka ndodhur në fshatin Begracë, në rrugën “Rexhep Luzha”.

Pas marrjes së informatës për të shtëna me armë, njësitë policore, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) nga Ferizaj, kanë identifikuar dhe vënë në pranga dy të dyshuarit me iniciale J.S. (62 vjeç) dhe B.Z. (33 vjeç).

Gjatë kontrollit të kryer në vendngjarje, policia ka konfiskuar dy pistoleta, 65 fishekë dhe 15 gëzhoja.

Pas intervistimit në stacionin policor, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për dy vepra penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, bazuar në urdhrin e prokurorit.

Me vendim të prokurorit, të dy të arrestuarit janë dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë.