Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mëngjesin e hershëm sot në magjistralën Prishtinë-Ferizaj. Tre persona mbetën të lënduar nga ky rast, dy prej të cilëve morën plagët nga arma e zjarrit, ndërsa i treti nga një mjet i mprehtë.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
“Sot, rreth orës 05:00, Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në magjistralen Prishtinë–Ferizaj. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar tre persona, dy prej të cilëve dyshohet se janë plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa një person dyshohet se është lënduar nga një mjet i mprehtë. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor.”
Ai tha se njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e mëtejme hetimore.
