Teatri i Gjilanit shfaq dëshmitë e të burgosurve shqiptarë në një dokumentar skenik
Sonte, në orën 20:00, Teatri i Gjilanit, në kuadër të aktiviteteve të kalendarit “Ditët e Mërgatës”, do të shfaqë dëshmi prekëse nga burgjet serbe. Përmes kësaj shfaqjeje dokumentare, publiku do të njihet me përjetimet e Enver Dugollit dhe të burgosurve të tjerë shqiptarë, gjatë një prej periudhave më të errëta të historisë së Kosovës – viteve të fundit të pushtimit, bombardimeve dhe luftës. Theksi vihet te dhuna sistematike ndaj të burgosurve politikë shqiptarë dhe përpjekjet për eliminimin e tyre.
Shfaqja, e ndërtuar mbi parimet e teatrit dokumentar, krijon një urë lidhëse ndërmjet dëshmive të shkruara në libër dhe fjalës së interpretuar në skenë. Ajo eksploron thellësisht traumën e izolimit dhe mekanizmat e represionit, duke u përpjekur të shprehë atë që fjalët vështirë e kapin. Rezistenca paraqitet si një forcë e vazhdueshme, ndërsa imazhet skenike synojnë të artikulojnë gjurmët e masakrave mizore.
Në këtë produksion, rolet interpretohen nga aktorët Afrim Muçaj dhe Artan Geca.
