Drita triumfon ndaj Vushtrrisë, incidente dhe tentativë për sulm mes tifozerive rivale

Në kuadër të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës, sot u zhvillua ndeshja mes Vushtrrisë dhe Dritës. Përballja, e cila u mbyll me fitoren minimale 1-0 të Dritës, u shoqërua me tensione dhe incidente të shumta mes tifozerive rivale.

Goli i fitores për kampionen në fuqi të Kosovës u shënua nga Arb Manaj në minutën e 77-të, duke i siguruar tri pikët e plota ekipit gjilanas. Cilësia e lojës në fushë nuk ishte në nivele të larta, duke ofruar pak momente spektakli.

Megjithatë, vëmendja kryesore ishte jashtë fushës, ku tensionet filluan që në pjesën e parë. Tifozët e Dritës, të njohur si “Intelektualët”, hynë në stadiumin në Hajvali në mënyrë të papritur. Menjëherë pas kësaj, tifozëria vendase, “Forca”, tentoi t’i sulmonte, por ndërhyrja e shpejtë e Policisë së Kosovës parandaloi një përplasje fizike dhe qetësoi situatën.

Pas përfundimit të ndeshjes, situata u tensionua sërish. Tifozët vushtrrias u futën në fushën e lojës, duke synuar të sulmonin tifozerinë gjilanase. Përsëri, forcat policore ndërhynë me efikasitet, duke shmangur përshkallëzimin e dhunës dhe duke garantuar sigurinë.

Sa i përket ecurisë në kampionat, Vushtrria ende nuk ka shënuar asnjë pikë në tri ndeshjet e para, duke regjistruar tri humbje. Ndërsa Drita ka grumbulluar dy fitore nga dy takime të zhvilluara, pasi ndeshja e saj kundër Prishtinës u shty për shkak të angazhimeve të skuadrës në garat evropiane.