Real Madrid shënon katër gola, Mourinho: Bukuria qëndron edhe në mënyrën si mbrohemi

José Mourinho, në stilin e tij të njohur, shfrytëzon çdo mundësi nëpërmjet mediave për të përcjellë mesazhe, qoftë për lojtarët, tifozët apo skuadrat rivale.

Pas fitores bindëse 4-0 ndaj Malagas, trajneri portugez foli për mënyrën sesi skuadra e tij e arriti këtë triumf.

Ndonëse tifozët u argëtuan me golat e shumtë, “Special One” theksoi se duhet t’i kushtohet vëmendje edhe mënyrës sesi skuadra mbrohet.

“Është e rëndësishme që njerëzit u argëtuan, por nëse kanë një vizion të qartë mbi futbollin e nivelit të lartë, duhet të shijojnë edhe pjesën e dytë. Aty pamë një skuadër që punonte në mbrojtje; Vinicius humbiste topin dhe menjëherë kthehej në mbrojtje. Futbolli nuk është vetëm të shijosh bukurinë e golave, por edhe të kthehesh në shtëpi duke menduar se jemi një bllok i vetëm. Mund të shënosh 121 gola në një sezon kur ke lojtarët më të mirë në sulm. Ne tashmë kemi shënuar 10 gola në tri ndeshje, por disa ndeshje do t’i fitojmë 1 me 0 dhe do të largohemi po aq të lumtur,” deklaroi Mourinho.

Mourinho më pas foli edhe për qendërmbrojtësin Dean Huijsen. “Nuk dua ta krahasoj me veten e tij të sezonit të kaluar. E takova në fillim të fazës përgatitore dhe fola me të gjatë ndeshjeve miqësore. Për mua, një mbrojtës qendror duhet të ketë cilësi me topin dhe besim për të ndërtuar aksionin nga prapa… Por, gjëja më e rëndësishme te një qendërmbrojtës është forca dhe aftësia për të fituar duelet, duke i dhënë skuadrës besimin se kemi dy lojtarë të fortë në prapavijë. Ai është zhvilluar shumë brenda një kohe shumë të shkurtër. Kam përshtypjen se humbi një pasim mes linjave, por më pas ishte plotësisht dominues në duele dhe në ndërhyrje mbrojtëse. Më pëlqejnë qendërmbrojtësit që mbrojnë mirë. Nëse më pas mund të jenë edhe elegantë dhe të aftë me topin, është perfekte. Por fillimisht duhet të mbrosh,” përfundoi Mourinho.

Përcjell “Gazeta Express”.