Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 ka goditur brigjet e ishullit Mindanao në jug të Filipineve, duke lënë pas të paktën 32 viktima dhe mbi 200 të lënduar.
Pas lëkundjeve të fuqishme, autoritetet sizmologjike në Filipine dhe Indonezi lëshuan paralajmërime për cunami, duke kërkuar evakuimin e banorëve nga zonat bregdetare. Këto paralajmërime u hoqën më vonë, pasi rreziku u vlerësua i ulët.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se disa zona kanë pësuar dëme të konsiderueshme, përfshirë shembje ndërtesash dhe dëmtim të banesave. Gjithashtu, është raportuar se në disa fshatra janë regjistruar valë cunami deri në një metër lartësi.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., ka deklaruar se ekipet e emergjencës janë angazhuar plotësisht në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe në ofrimin e ndihmës për personat e prekur.
Ndërkohë, autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të rritet, pasi vazhdon kërkimi për persona të zhdukur pas kësaj fatkeqësie natyrore.
Filipinet ndodhen në një nga zonat më aktive sizmike në botë, e njohur si “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit.
