**Tërmet i fuqishëm godet Turqinë, qarkullojnë pamjet e panikut**
Një tërmet me magnitudë 5.7 ballë të shkallës Rihter ka goditur sot Turqinë, duke shkaktuar panik te banorët dhe ringjallur kujtimet e një tragjedie të mëparshme. Epiqendra e lëkundjeve u regjistrua në rajonin e Malatyas, një zonë kjo e cila u prek rëndë nga një tërmet shkatërrues vetëm tre vjet më parë.
Fuqia e tërmetit duket qartë në pamjet e publikuara nga qytetarët, të cilat tregojnë lëkundje të ndjeshme edhe qindra kilometra larg epiqendrës. Llambadarë që lëkunden fort dhe objekte që bien nga raftet e dyqaneve dëshmojnë intensitetin e dridhjeve.
Menjëherë pas tërmetit, një numër i madh qytetarësh dolën në rrugë, të pushtuar nga paniku dhe frika e lëkundjeve të tjera. Ata u filmuan duke bërë telefonata pranë ndërtesave, duke kërkuar informacion dhe duke kontrolluar për dëme të mundshme.
Deri në këto momente, nuk ka raportime për të lënduar apo dëme të mëdha materiale, megjithëse situata vijon të monitorohet.
Kjo zonë e Turqisë mbetet e ndjeshme ndaj aktivitetit sizmik. Tre vjet më parë, i njëjti rajon u godit nga një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.7 Rihter, i cili la pas dhjetëra mijëra viktima në Turqi dhe Siri, si dhe shkatërroi qytete të tëra.
